Ambasadori Jeffrey M. Hovenier, diplomat karriere i Shërbimit të Punëve të Jashtme, me titullin Ministër-Këshilltar, është ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Ai ia dorëzoi kredencialet presidentes Vjosa Osmani Sadriu më 10 janar 2022 në Prishtinë. Përgjatë më shumë se 30 vite karrierë në cilësi të ndryshme, ambasadori Hovenier ka përfaqësuar prioritetet strategjike dhe përkushtimin e SHBA-së ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. Në vitin 1999, përderisa shërbente në misionin e SHBA-së në OSBE, ai ishte pjesëtar i delegacionit amerikan në procesin e Rambujesë. Në vitin 2001 shërbeu si kryesues i ekipit negociator të SHBA-së për takimin ministror të OSBE-së në Bukuresht dhe për Marrëveshjen për Stabilitet sipas nenit V të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, si dhe përfaqësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Forumin Politik-Ushtarak të OSBE-së për Bashkëpunim mbi çështjet e sigurisë. Në vitin 2001, ai themeloi dhe udhëhoqi zyrën e ambasadës amerikane në Preshevë, Serbi Jugore. Në vitin 2002, ai udhëhoqi zyrën e SHBA-së në Podgoricë, Mal të Zi. Në vitin 2006, shërbeu si pjesëtar i ekipit të OKB-së, të prirë nga i Dërguari i Posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari, përgjegjës për negociatat për statusin e Kosovës. Gjatë shërbimit të tij në ambasadën amerikane në Zagreb prej vitit 1995-1998, ai ishte pjesëtar i ekipit ndërkombëtar që negocioi dhe zbatoi Marrëveshjen e Erdutit, me të cilën u arrit ri-integrimi paqësor i Sllavonisë Lindore. Më vonë gjatë karrierës së tij, ai shërbeu si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke zhvilluar politikat e Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor, përfshirë çështjet rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prej vitit 2002 deri në vitin 2004, ai shërbeu si zëvendës-drejtor i Byrosë për Çështjet evropiane dhe euro-aziatike në Departamentin e Shtetit me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore. Së fundmi, gjatë viteve 2018-2019, ambasadori Hovenier shërbeu si i ngarkuar me punë, në ambasadën e SHBA-së në Ankarë, dhe si zëvendës-shef i misionit prej vitit 2019 deri në vitin 2021. Gjithashtu, ai ka shërbyer si ushtrues detyre i zëvendës-shefit të misionit dhe ministër-këshilltar për çështjet politike në ambasadën e SHBA-së në Gjermani dhe në misionet e SHBA-së në Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru. Ai ka titullin master në Qeverisje nga Universiteti Georgetown dhe diplomë bachelor në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Universiteti Brigham Young. Flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe është duke mësuar dialektin gegë të gjuhës shqipe.