Alb | Srb | Eng

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

 

Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga është presidentja e parë femër e Republikës së Kosovës, e zgjedhur nga Parlamenti i Kosovës më 07 prill 2011. Presidentja Jahjaga është liderja femër më e re në botë e zgjedhur në postin e Presidentes, e lindur më 20 Prill 1975 në Rashkoc, Gjakovë. Ajo është po ashtu edhe Presidentja e parë femër në historinë moderne të Ballkanit. Qe nga muaji maj i vitit 2012, Presidentja Jahjaga është anëtare e Këshillit të Grave Lidere Botërore (CWWL).

Zonja Jahjaga ka mbajtur postin e Zëvendës-Drejtores së Përgjithshme të Policisë së Kosovës që nga muaji shkurt i vitit 2009. Ajo ka qenë zyrtare e Policisë së Kosovës që nga themelimi në vitin 2000 dhe ka mbajtur poste me përgjegjësi, fillimisht në nivel rajonal e pastaj edhe në drejtorinë qendrore. Presidentja Jahjaga ka shërbyer në pozita të ndryshme në zbatimin e ligjit dhe rregullit, në mes tjerash në njësinë e standardeve profesionale, atë të burimeve njerëzore, atë të personelit dhe departamentit të trajnimit, atë të administrimit dhe të policisë kufitare. Ajo ka përfunduar studimet në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000. Në vitet 2006-2007 ka ndjekur programe pasuniversitare për Menaxhment Policor dhe Ligjin Penal në universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu ka ndjekur programin pasuniversitar për Shkencën mbi Krimin, në Universitetin e Virginia-s në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007. Presidentja Jahjaga ka ndjekur gjithashtu programe profesionale dhe hulumtuese në Qendrën Evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani, Akademinë Kombëtare të FBI-së në SHBA dhe Ministrinë e Drejtësisë të SHBA.  

Përpos gjuhës së saj amtare shqipe, Presidentja Jahjaga po ashtu flet gjuhën serbe dhe atë angleze. Është e martuar më Z. Astrit Kuçi dhe jeton në Prishtinë.


Tracey Ann Jacobson - Ambasadore e SHBA në Republikën e Kosovës

Si zyrtare karriere e Shërbimit të Lartë të Jashtëm ambasadorja Tracey Ann Jacobson më parë shërbeu si Zëvendës Drejtoreshë e Institutit të Shërbimit të Jashtëm (FSI) prej korrikut të 2010-ës deri në korrik të 2012-ës, dhe si dekane e Shkollës për Studime Profesionale dhe Rajonale në FSI në vitet 2009-2010. Ajo ka shërbyer si ambasadore e SHBA-ve në Taxhikistan (2006-2009) dhe Turkmenistan (2003-2006). Ajo ishte edhe zëvendës shefe e misionit në ambasadën e SHBA-ve në Riga (2000-2003). Para kësaj ajo ishte Zëvendës Sekretare Ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Detyrat tjera të saja jashtë shtetit përfshijnë funksione në Seul, Kore Jugore; Nassau, Bahame; dhe Moskë, Rusi. Brenda shtetit ajo ka punuar në Byronë për Inteligjencë dhe Hulumtime të Departamentit të Shtetit, në Byronë për Çështje të Hemisferës Perëndimore, dhe në Zyrën e Nënsekretarit për Menaxhim.

Ambasadorja Jacobson ka diplomuar në universitetin John Hopkins, dhe ka magjistruar në Shkollën John Hopkins Nitze, për Studime të Avancuara Ndërkombëtare. Ajo është shpërblyer disa herë nga Departamenti i Shtetit me shpërblim për punë meritore dhe shpërblimin e lartë për punë të ndershme, si dhe ka marrë Shpërblimin Presidencial për Shërbim Meritor. Ajo ka mësuar gjuhën shqipe, serbe, franceze, ruse, spanjolle, koreane, dhe taxhike. Është e martuar me David Baugh, pjesëtar i shërbimit diplomatik britanik.


Teuta Sahatqija - Kryesuese, Grupi i Grave Deputete, Kosovë

Teuta Sahatçiu është inxhiniere me profesion dhe ka diplomuar si studente e dalluar. Përgjatë karrierës së saj Teuta ka demonstruar cilësi të lideres, fillimisht si inxhiniere dhe menaxhere, si drejtore dhe themeluese një kompanie telekomunikuese dhe së fundi si lidere në politikë. Për më tepër znj. Teuta është themeluese e Lobit Regjional të Grave dhe themeluese e asociacionit të ish -studentëve në Shtetet e Bashkuara KUSA. Ajo u është drejtuar dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare në çështje të ndryshme përfshirë ekonominë, fuqizimin e grave, marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë, pajtimin dhe demokratizimin. Ajo i është drejtuar Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Seminarit Rose Roth, Forumit Ekonomik në Krynice, Romë, konferencave ndërkombëtare të organizuara nga Instituti IDEA në Accra të Ganës, konferenca të ndryshme të UNDP-së në Stamboll dhe në Prishtinë si dhe konferencave të OSBE-së në Budvë dhe Prishtinë, Forumit Ndërkombëtar të Liderëve në Charlotte të Karolinës Veriore, FES-së në Budvë, CIG-së, PER-it, Konferencsë Ndërkombëtare për të Drejtat e Grave në Erbil të Irakut Konferencës I-know politics në Aman të Jordanisë, konferencave të RWL-së dhe UNWOMEN në Prishtinë, Shkup, Vjenë, Zagreb e shumë të tjera.

Znj. Teuta Sahatçiu është nga Prizreni, e martuar dhe nënë e katër fëmijëve. Aktualisht ajo e kryeson Grupin e Grave Deputete dhe është zëvendës kryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). 


Alexander Chavarria - Drejtor Rezident i NDI në Kosovë

Alexander Chavarria është drejtor rezident i Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë. Më parë ka shërbyer si drejtor rezident në Liberi si dhe drejtor i programit pjesëmarrja e qytetarëve në Kuvendin Legjislativë në El Salvador. Ai ka shërbyer si këshilltar ndërkomëtar në çështjet demokracisë dhe qeverisjes për IADB, Programin Ndërkombëtar për Buxhet, Parlamentarët për Grupin e Habitatit dhe OAS.

Z. Chavarria është bashkë themelues , ka asistuar dhe më vonë ka shërbyer si këshilltarë për Programin e Zvillimit Legjislativ ( PRODEL) për Kuvendin Legjislativë të Kosta Rikës. Ai gjithashtu ka shërbyer si këshilltar ndërkombëtar në programin për legjislacion të modernizuar në Guatemala dhe këshilltar legjislativë në Dhomën e Përfaqësuesve në Legjislaturën e Teksasit. Z. Chavarria ka shërbyer dhe si vëzhgues ndërkombëtar për OAS gjatë vitit 2004 në zgjedhjet presidenciale ne El Slavador.

I lindur në Kosta Rika, Z. Chavarria mbanë një Diplomë Master në Administrim i Biznesit nga Pontificia Universidad Católica de Chile , një Diplomë Master në Shkencat Politike nga Texas State University , dhe është i diplomuar nga programi “licenciatura” në Universitetin e Kosta Rikës, Shkolla për Shkenca Politike.